Franca ndalon hyrjen e ministrit izraelit Ben-Gvir për shkak të trajtimit të aktivistëve të flotiljes për Gazën

Franca ndalon hyrjen e ministrit izraelit Ben-Gvir për shkak të trajtimit të aktivistëve të flotiljes për Gazën

Franca ia ka ndaluar hyrjen në territorin francez ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për shkak të asaj që ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, e përshkroi si “veprime të papranueshme” ndaj aktivistëve në bordin e Flotiljes Globale Sumud me destinacion Gazën, transmeton Anadolu.

Barrot tha se masa erdhi pas incidenteve që përfshinë qytetarë francezë dhe evropianë pjesëmarrës në Flotiljen Globale Sumud.

“Franca nuk mund të tolerojë që shtetas francezë të kërcënohen, frikësohen ose brutalizohen”, tha ai, veçanërisht nga një ministër në detyrë i qeverisë.

“Vërej se këto veprime janë dënuar nga një numër i madh figurash qeveritare dhe politike izraelite. Ato pasojnë një listë të gjatë deklaratash dhe veprimesh tronditëse, nxitje të urrejtjes dhe dhunës kundër palestinezëve”, shkroi Barrot në rrjetin social amerikan X.

“Ashtu si homologu im italian, i bëj thirrje BE-së që gjithashtu të vendosë sanksione ndaj ministrit Itamar Ben-Gvir”, shtoi ai.

Masa vjen pasi qarkulluan pamje që duket se tregojnë ministrin Ben-Gvir, një partner kyç i koalicionit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke ecur mes aktivistëve të ndaluar, të cilët ishin të gjunjëzuar në formacione të ngjeshura me duart e lidhura pas shpine.

Në pamje, Ben-Gvir duket duke valëvitur një flamur izraelit dhe duke tallur të ndaluarit.

Më herët, ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, kërkoi që shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, të vendosë sanksionet e mundshme ndaj ministrit Ben-Gvir në agjendën e takimit të ardhshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Në mënyrë të ngjashme, kryeministri irlandez, Micheal Martin, i shkroi presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke kërkuar diskutim zyrtar në samitin e ardhshëm të BE-së mbi trajtimin nga Izraeli të qytetarëve të BE-së në bordin e flotiljes.

Flotilja, që transportonte 428 persona nga 44 vende, u nis të enjten nga rrethi turk Marmaris në përpjekje për të thyer bllokadën izraelite ndaj Rripit të Gazës, e cila është në fuqi që nga viti 2007.

MARKETING