“Të gjithë për Palestinën” i kërkon RTM-së të bojkotojë pjesëmarrjen në Eurovision 2027 derisa është pjesë edhe Izraeli
“Të gjithë për Palestinën” ka reaguar ndaj njoftimit për rikthimin e Maqedonisë në Eurovision 2027, duke i bërë thirrje Radio Televizionit Maqedonas që të bojkotojë festivalin derisa Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) të përjashtojë transmetuesin izraelit KAN.
Në reagimin e tyre, shoqata thekson se Eurovisioni nuk mund të konsiderohet më një ngjarje “neutrale” kulturore, duke akuzuar EBU-në për standarde të dyfishta në trajtimin e Rusisë dhe Izraelit. Ata rikujtojnë se Rusia u përjashtua nga konkursi në vitin 2022, ndërsa, sipas tyre, “më shumë se 30 muaj gjenocid në Gaza” nuk kanë sjellë masa të ngjashme ndaj Izraelit.
“Eurovisioni prej kohësh nuk mund të trajtohet më si një ngjarje kulturore “neutrale”. Gjithnjë e më shumë artistë, muzikantë dhe punonjës kulturorë në Evropë dhe në botë po theksojnë se ky konkurs përdoret si platformë për “pastrim” politik dhe normalizim të dhunës, aparteidit dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Më shumë se 1.100 muzikantë dhe punonjës kulturorë kanë nënshkruar tashmë një letër të hapur që bën thirrje për bojkotimin e Eurovisionit derisa të vendosen standarde të qarta etike dhe përgjegjësi nga ana e Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU)”, thuhet në reagim.
“Të gjithë për Palestinën” shpreh mbështetje për thirrjet palestineze drejtuar transmetuesve publikë, artistëve dhe fansave për bojkot të Eurovisionit, duke përmendur edhe qëndrimet e disa transmetuesve evropianë dhe artistëve që kanë kërkuar rishqyrtim të pjesëmarrjes së Izraelit.
Shoqata gjithashtu kërkon hapjen e një debati publik dhe transparent në Maqedoni mbi pjesëmarrjen në Eurovision, duke e lidhur këtë me çështjet e të drejtave të njeriut, paqes dhe solidaritetit ndërkombëtar.

