Baritoni Riste Velkov dhe djali i tij mes viktimave të aksidentit të mbrëmshëm tragjik

Baritoni Riste Velkov dhe djali i tij mes viktimave të aksidentit të mbrëmshëm tragjik

Riste Velkov, bariton dhe solist i parë i Opera dhe Baleti Kombëtar, është një nga katër personat që humbën jetën mbrëmë në një aksident të rëndë trafiku në unazën e Shkupit. Në aksident humbi jetën edhe djali i tij 20-vjeçar.

Në rrjetet sociale, kolegët e Velkovit po i japin lamtumirën dhe po shprehin ngushëllime për familjen e tij.

Në biografinë e publikuar në faqen zyrtare të Operës dhe Baletit Kombëtar thuhet se Velkov ishte një nga baritonët më të njohur dhe një nga solistët operistikë më karizmatikë. Si solist i njohur dhe protagonist i Operës dhe Baletit Maqedonas, ai interpretonte kryesisht në produksione “Belcanto”, duke fituar epitetin “bariton italian me ngjyrë kadifeje të zërit”.

Aksidenti ndodhi mbrëmë rreth orës 23:00, në segmentin mes mbikalimit pranë Vizbegut dhe nyjës së Mirkovcit në unazën e Shkup.

Përveç Velkovit dhe djalit të tij, jetën e humbën edhe dy persona të tjerë – 20-vjeçari P.M. nga Shkupi dhe një person tjetër identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se aksidenti ndodhi pasi një kamion me gjysmërimorkio, i drejtuar nga 76-vjeçari B.B. nga Kosova, humbi kontrollin mbi automjetin, theu barrierën metalike mbrojtëse dhe kaloi në korsinë e kundërt të autostradës, ku u përplas drejtpërdrejt me një veturë BMW me targa të Shkupit, të cilën e drejtonte Velkovi.

Si pasojë e përplasjes, automjeti dhe kabina e kamionit u përfshinë nga flakët dhe u dogjën plotësisht.

Pas aksidentit, nga MPB-ja njoftuan se shoferi i kamionit është arrestuar dhe se pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngrihet kallëzim penal përkatës.

MARKETING