(VIDEO) Sali: 30.6 milionë do të derdhen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror

(VIDEO) Sali: 30.6 milionë do të derdhen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror

65.7 milionë eurot që Maqedonia e Veriut përfitoi nga Komisioni Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor konsiderohen si një konfirmim i progresit reformues dhe avancimit të vendit në procesin eurointegrues nga ana e autoriteteve. Zëvendëskryeministri dhe ministri për Eurointegrime, Bekim Sali, theksoi se ky vlerësim pozitiv nga Brukseli është rezultat i punës së koordinuar të institucioneve shtetërore dhe i përkushtimit për të zbatuar reformat në praktikë. Ai bëri të ditur se gjatë periudhës së tretë raportuese janë dorëzuar 21 hapa reformues.

BEKIM SALI, ZV/KRYEMINISTËR

“Nga këto, 16 hapa janë vlerësuar pozitivisht, ndërsa ajo që është veçanërisht domethënëse është fakti se tre hapa janë realizuar para afatit të paraparë. Kjo tregon qartë se institucionet tona nuk punojnë vetëm për të arritur afate minimale, por janë të angazhuara që reformat të realizohen me kohë, me seriozitet dhe me vizion afatgjatë. Në këtë cikël monitorimi janë ndjekur gjithsej 44 hapa reformuese”.

Ai sqaroi se nga shuma totale prej 65.7 milionë eurosh, 30.6 milionë do të derdhen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror.

BEKIM SALI, ZV/KRYEMINISTËR

Nga 65,7 milionë eurot e siguruara30,6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për projekte zhvillimore dhe investime strategjike përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor. Kjo nënkupton më shumë investime në infrastrukturë, energji, digjitalizim, arsim dhe zhvillim njerëzor”

Duke bërë krahasimet në përfitimet e shumave të përgjithshme mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe faktin se Shqipëria ka përfituar më shumë mjete, Sali tha se dy vendet kanë karakteristika të ndryshme dhe nuk mund të krahasohen. Ndryshe në kuadër të Planit të Rritjes, Maqedonia e Veriut deri më tani ka përfituar gjithësej 142 milion euro ndërkaq Shqipëria ka përfituar 212.8 milion euro.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING