(VIDEO) Për dy ditë mbi një mijë gjoba trafiku, 34 të arrestuar
Gjatë fundjavës, policia regjistroi gjithsej 1.026 shkelje të rregullave të trafikut në territorin e vendit, ndërsa 34 persona u privuan nga liria për drejtim të pakujdesshëm të automjeteve. Ministria e Punëve të Brendshme informoi se kontrollet janë realizuar nga zyrtarët policorë të të gjitha sektorëve të punëve të brendshme në rrugët anembanë vendit. Nga numri i përgjithshëm i urdhërpagesave të lëshuara, 316 kanë të bëjnë me tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
MPB
“Sa i përket shoferëve të ndaluar, nëntë përfunduan në stacion policie për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, njëri për shkak të ndalimit të lëshuar më parë për drejtim mjeti, ndërsa 24 u privuan nga liria për drejtim mjeti pa leje drejtimi”.
MPB po ashtu informoi se gjatë dy ditëve të fundit, 16 dhe 17 maj janë sekuestruar 23 automjete.
Sipas rishikimit statistikor të aktiviteteve policore për kontrollin e trafikut rrugor, gjatë fundjavës u regjistruan 164 shkelje për parkim të paligjshëm, si dhe 29 sanksione për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Përveç kësaj, 107 shoferë motoçikletash u sanksionuan për mosmbajtje të kaskës mbrojtëse, dhe pesë këmbësorë morën urdhra kundërvajtëse, ndërsa 99 gjoba ishin për mospërdorimin e rripit të sigurimit. Në përputhje me Ligjin për Automjetet, 15 automjete u hoqën nga trafiku sepse ishin të paregjistruara, ndërsa katër për shkak të defekteve teknike. /SHENJA/

