Tetovë: “Mjeku i TikTok-ut” drejt rikthimit pas vendimeve të gjykatës
Tre vite pas arrestimit që pati reagim të gjerë publik, anesteziologu Valton Dervishi nga Spitali i Tetovës pritet të rikthehet në vendin e punës, pasi gjykatat kanë shfuqizuar vendimin për shkarkimin e tij dhe kanë hapur rrugën për kthimin e tij në institucion.
Dervishi ishte arrestuar dhe më pas ishte dënuar për xhirim të paautorizuar të pacientëve dhe stafit mjekësor në repartin e gjinekologjisë, si dhe për publikimin e një pjese të materialeve në rrjetin social TikTok. Rasti në atë kohë ishte trajtuar si një nga rastet më të rënda të shkeljeve etike në shëndetësi dhe kishte shkaktuar reagime institucionale.
Më vonë, gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore, dënimi fillestar me burg dhe masat disiplinore janë zbutur, ndërsa një pjesë e akuzave është rikualifikuar pas deklaratave të noterizuara dhe vendimeve të reja gjyqësore. Si rezultat, gjykatat dhe Oda e Mjekëve kanë konstatuar se nuk ekziston bazë e mjaftueshme ligjore për heqjen përfundimtare të licencës, duke i hapur rrugë rikthimit të tij profesional.

