Drita e Ramadanit për herë të dytë radhazi kampion në Kosovë
Trajneri shkupjan Zekirija Ramadani është sërish kampion me Dritën e Gjilanit në Superligën e Kosovës. Me triumfin e sotëm 2:0 ndaj Ballkanit, skuadra e Ramadanit arriti të sigurojë titullin e dytë radhazi në Kosovë dhe të pestin në historinë e tyre. Tashmë me këtë fitore, Drita ka 66 pikë në Superligën e Kosovës ndërsa Ballkani në vendin e dytë 55 pikë. Ky është një tjetër sukses për strategun nga Shkupi, i cili vazhdon të shkruajë historinë në futbollin e Kosovës. Ai përveç që ka fituar katër tituj me skuadra të ndryshme, gjithashtu u bë trajneri i parë që kualifikohet me një ekip nga Kosova në fazës eliminuese të një kompeticioni europian. Kështu edhe këtë verë, Drita do ta përfaqësojë Kosovë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, teksa Ballkani me Malishevën do të luftojnë për pozitën e dytë.

