Mickoski: Gjatë vitit të fundit janë krijuar mbi 15.000 vende të reja pune

Mickoski: Gjatë vitit të fundit janë krijuar mbi 15.000 vende të reja pune

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me këstin e ri të paguar si mbështetje për kompanitë vendore, efektet në ekonomi në aspektin e vendeve të reja të punës dhe hapjen e pjesëve të reja në këto kompani, deklaroi:

“Gjatë vitit të fundit janë krijuar më shumë se 15.000 vende të reja pune. Dhe po arrijmë në një gjendje ku aktualisht kemi rreth 710.000 të punësuar dhe nën 90.000 të papunë të regjistruar. Nëse në këta nën 90.000 të papunë kemi, të themi, rreth 30.000 bujq, ndërsa të papunët evidentohen si popullsi e aftë për punë nga 15 deri në 65 vjeç, ku përfshihen edhe dy gjenerata, 15 dhe 16 vjeç, nxënës të shkollave të mesme, ndërkohë që arsimi i mesëm është i detyrueshëm, atëherë arrijmë në një shifër prej afërsisht jo më shumë se 35.000 deri në 40.000 të papunë, që përfaqëson diku nën 5% të popullsisë së aftë për punë. Dhe ky është niveli historikisht më i ulët ndonjëherë, që nga ekzistenca e Maqedonisë së pavarur.

Cili është rezultati i një mbështetjeje të tillë nga Qeveria? Pra, aktivitet më i madh investues. Ne për gjashtë tremujorë radhazi kemi rritje reale prej 3,5%. Nëse shikohet prodhimi i brendshëm bruto nominal për vitin 2026, jo sipas Qeverisë, jo sipas Hristijanit, por sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ai do të jetë rreth 22 miliardë dollarë. Dhe kur kjo periudhë e kësaj Qeverie krahasohet me periudhën e Qeverisë së mëparshme, rritja e prodhimit të brendshëm bruto nominal është tri herë më e madhe, në kushte kur prodhimi i brendshëm bruto në kuadër të Eurozonës rritet nën 1%. Ky është dallimi dhe këto janë të dhëna empirike, janë gjëra që krahasohen. Ne tani nuk mund të krahasojmë gjëra që nuk janë të krahasueshme. Ose të flasim mbi bazën e asaj që ne e imagjinojmë, këto janë shifra.

Dhe ky është rezultat i këtij aktiviteti investues nga ana e Qeverisë, jo vetëm mbështetja për ekonominë përmes kredive të subvencionuara, ku norma e interesit është nën 2%, përkatësisht 1,95%, por edhe përmes këtyre projekteve, njëri prej të cilëve është edhe ky që po e shohim këtu. Të tillë kemi më shumë se 1.200 aktualisht, pra 1.200 kantiere janë realizuar vetëm gjatë dy viteve të fundit, projekte që janë drejtpërdrejt për komunitetin përmes vetëqeverisjes lokale. Dhe këtu Qeveria nuk ka përzgjedhur nëse bëhet fjalë për kryetarë komunash nga VMRO-DPMNE apo nga koalicioni qeveritar, në të gjitha komunat investohet sipas kritereve të barabarta. Dhe vlerësoj se ky projekt, i cili deri tani ka akumuluar përafërsisht mbi gjysmë miliard euro, ka ndikuar mjaft në tërë këtë proces.”

MARKETING