Manchester Unitedi fiton derbin dhe konfirmon kthimin në Champions
Manchester Unitedi e ka fituar derbin e madh anglez ndaj Liverpoolit.
Të dielën në “Old Trafford”, në praninë e 74 mijë shikuesve, Unitedi fitoi me rezultatin 3:2. Ndeshja i takoi xhiros së 35-të të Premier Leagues.
Tri xhiro para fundit, Unitedi i ka 64 pikë në vendin e tretë. Liverpooli është i katërti me 58 pikë. Me fitoren e së dielës, Manchester Unitedi ka konfirmuar kthimin në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm.
Matheus Cunha shënoi që në minutën e gjashtë për skuadrën nga Manchesteri. Benjamin Sheshko realizoi për 2:0 në minutën e 14-të.
Liverpooli reagoi duke barazuar në 2:2, me golat e Dominik Szoboszlait në minutën e 47-të dhe Cody Gakpos në minutën e 56-të.
Por në minutën e 77-të Kobbie Mainoo realizoi për fitore dhe për festën e madhe të tifozëve të Unitedit. Unitedi është kthyer në rrugën e sukseseve me trajnerin Michael Carrick.

