Goditje e rëndë për Milanin, Modriç duhet të operohet pas frakturës së dyfishtë
Milani ka marrë një goditje të rëndë pas barazimit pa gola ndaj Juventusit, që mund të komplikojë ecurinë e skuadrës kuqezi në javë te fundit të sezonit ku kërkon të ruajë vendin e tretë dhe sigurinë e kalimit në Champions. Mesfushori Luka Modriç doli i dëmtuar nga fusha e lojës pas përplasjes me Lokatelin, duke pësuar lëndim në mollëzën e faqes.
Klubi kuqezi lëshoi një komunikatë për mediat, duke konfirmuar se Modriç kishte pësuar një frakturë të dyfishtë dhe do të kryente ndërhyrje kirurgjikale.
“Kontrollet e kryera sot kanë evidentuar një frakturë në mollëzën e majtë që do të kërkojë një ndërhyrje kirurgjikale, që parashikohet në orët e ardhshme. Detaje të tjera do të jepen pas ndërhyrjes kirurgjikale”, shkruhej në komunikatën e Milanit.
Kjo praktikisht mbyll sezonin e Modriç me Milanin, pasi nuk parashikohet që kroati të rrezikojë të luajë në javët në vijim me një dëmtim në fytyrë, edhe pse mund të përgatitet për të një maskë speciale. Modriç kërkon që të jetë në formë sa më të mirë në Botëror ndaj vështirë se do të rrezikojë që të pësojë probleme të tjera gjatë rehabilitimit të tij.

