Atlanta fiton në fund ndaj Knicks, Toronto ngushton diferencën e serisë, Minnesota merr avantazhin
Mbrëmje emocionuese në NBA, ku disa prej serive të “playoff”-it prodhuan spektakël dhe përmbysje të rëndësishme.
Në Atlanta Hawks – New York Knicks, vendasit triumfuan 109-108 në një përballje dramatike, duke kaluar në avantazh 2-1 në seri. Heroi i ndeshjes ishte CJ McCollum, i cili realizoi koshin vendimtar 12 sekonda nga fundi. Knicks kishin përmbysur rezultatin në momentet e fundit falë Jalen Brunson, por nuk arritën të finalizonin aksionin e fundit. Ndërkohë, Jonathan Kuminga spikati nga stoli me 21 pikë për Atlantën.
Në Toronto Raptors – Cleveland Cavaliers, skuadra kanadeze fitoi bindshëm 126-104 dhe ngushtoi serinë në 1-2. Toronto dominoi çerekun e fundit me plot 43 pikë, duke mos u lënë asnjë shans kundërshtarëve. Scottie Barnes dhe RJ Barrett realizuan nga 33 pikë secili, ndërsa për Cleveland zhgënjyen Donovan Mitchell dhe James Harden, ky i fundit me tetë humbje topi.
Fitore e rëndësishme edhe për Minnesota Timberwolves, që mposhtën Denver Nuggets 113-96 dhe kaluan në avantazh 2-1 në seri. Minnesota dominoi ndeshjen falë mbrojtjes së fortë dhe kontrollit të ritmit, duke neutralizuar Nikola Jokic, i cili pati një mbrëmje të vështirë në gjuajtje. Vendimtar nga stoli ishte Ayo Dosunmu me 25 pikë dhe 9 asistime.
Seritë mbeten të hapura dhe ndeshjet e radhës pritet të jenë përcaktuese për fatin e skuadrave në garën drejt titullit.

