Sulmi iranian ndaj Ambasadës së SHBA-së në Arabinë Saudite shkaktoi më shumë dëme sesa u raportua
MARKETING
Një sulm me dron nga Irani ndaj Ambasadës së SHBA-së në Arabinë Saudite muajin e kaluar shkaktoi më shumë dëme sesa ishte bërë publik më parë, transmeton Anadolu.
MARKETING
Sulmi ndodhi më 3 mars, kur një dron kaloi mbrojtjen ajrore në lagjen diplomatike të Riadit dhe goditi kompleksin amerikan. Një dron i dytë pasoi, duke goditur të njëjtin vend dhe duke shkaktuar një shpërthim tjetër.
Sulmet, të cilat ndodhën gjatë natës, depërtuan në një pjesë të siguruar të ambasadës ku zakonisht punojnë qindra punonjës, duke dëmtuar rëndë tre kate. Ndër zonat e prekura ishte edhe stacioni i CIA-s.
Siç raporton Wall Street Journal, zyrtarët sauditë fillimisht e minimizuan sulmin, duke e cilësuar si një zjarr të vogël me dëme të kufizuara, por zyrtarët amerikanë thanë se zjarri zgjati për orë të tëra dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme dhe të pariparueshme në pjesë të ambasadës.
Më vonë atë natë, më shumë dronë u interceptuan, ndërsa mbetje ranë pranë një kopshti për fëmijë. Një dron duket se kishte në shënjestër rezidencën e diplomatit më të lartë amerikan në Arabinë Saudite, vetëm disa qindra metra nga ambasada.
Zyrtarët thanë se po të kishte ndodhur sulmi gjatë orarit të punës, ai mund të kishte shkaktuar viktima masive, duke theksuar mesazhin se Irani mund të godasë objektiva amerikane që më parë konsideroheshin të sigurta.
“Ishte në gjendje të prodhonte një armë të ndërtuar brenda vendit, ta lëshonte atë në qindra milje distancë dhe ta drejtonte drejt ambasadës së kundërshtarit të tij kryesor, që do të thotë se mund të kishte goditur çdo objektiv që dëshironte në qytet”, tha Bernard Hudson, ish-shef i kundërterrorizmit në CIA me përvojë të gjerë në shtetet e Gjirit Persik, përfshirë Arabinë Saudite.
“Ka pasur një mungesë të plotë transparence mbi sasinë reale të dëmeve të shkaktuara në këto vende. Kjo ushqen dyshimet se dëmet mund të kenë qenë shumë më të mëdha nga sa është pranuar”, tha Hudson.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri më tani më shumë se 1.340 persona, përfshirë edhe liderin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.

