17 vjet në NATO, Shqipëria thekson rolin e saj si aleate e përkushtuar

17 vjet në NATO, Shqipëria thekson rolin e saj si aleate e përkushtuar

MARKETING

Shqipëria sot shënon 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO, ndërkohë që presidenti Bajram Begaj dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha e kanë përkujtuar këtë datë, duke e cilësuar si arritje historike për sigurinë dhe orientimin euroatlantik të vendit, transmeton Anadolu.

MARKETING

Sample Image

Në një postim në rrjetin social amerikan X, presidenti Begaj theksoi se anëtarësimi në NATO përbën moment historik për sovranitetin dhe sigurinë e Shqipërisë, duke shtuar se aleanca garanton paqen, sigurinë dhe mbrojtjen kolektive në hapësirën euroatlantike.

“Krenarë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura. Ne mbetemi të bashkuar për paqen, stabilitetin dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, ka shkruar Begaj.

Nga ana e tij, ministri Hoxha vlerësoi se anëtarësimi në NATO ishte një hap vendimtar që e ankoroi fort rrugën euroatlantike të Shqipërisë dhe forcoi themelet e sigurisë kombëtare.

Ai theksoi se që nga ajo kohë, Shqipëria është dëshmuar si një aleat i përkushtuar dhe i besueshëm, duke kontribuuar në misionet dhe operacionet e aleancës dhe duke promovuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Hoxha gjithashtu bëri të ditur se Shqipëria po përgatitet të presë për herë të parë një samit të NATO-s në rajon, duke e cilësuar këtë si një shprehje të qartë besimi në rolin dhe kontributin e vendit brenda aleancës.

Shqipëria u bë anëtare e plotë e NATO-s më 1 prill 2009, një moment që konsiderohet gjerësisht si një pikë kthese në politikën e saj të sigurisë dhe integrimit ndërkombëtar.

MARKETING