Barcelona planifikon afatin kalimtar: Rashford në dyshim, emra të rinj në listë

Barcelona planifikon afatin kalimtar: Rashford në dyshim, emra të rinj në listë

MARKETING

Spekulimet po shtohen se Barcelona nuk do të aktivizojë opsionin e blerjes për Marcus Rashford, i huazuar nga Manchester United.

MARKETING

Sample Image

Klubi katalanas synon të forcojë repartin ofensiv gjatë verës, por pasiguria mbi buxhetin në dispozicion mund të bëjë që anglezi të mos jetë pjesë e planeve përfundimtare.

Për pjesën më të madhe të sezonit, Rashford ka marrë vlerësime pozitive nga trajneri Hansi Flick dhe vetë lojtari ka shprehur publikisht dëshirën për të qëndruar në “Camp Nou”.

Megjithatë, së fundmi mediat katalanase raportojnë se Barcelona po përpiqet të ulë çmimin prej 30 milionë eurosh, të rënë dakord me United verën e kaluar.

Nga ana tjetër, burime nga Anglia bëjnë të ditur se Rashford nuk do të transferohet për një shumë më të ulët se ajo e paracaktuar.

Në të njëjtën kohë, Barcelona po shqyrton mundësinë për të rikthyer Jan Virgili, një produkt i La Masias që u largua drejt Mallorcas verën e kaluar për 3.5 milionë euro.

Katalanasit zotërojnë 50% të kartonit të tij në formë përqindjeje nga shitja e ardhshme, çka mund ta lehtësojë financiarisht një operacion të mundshëm rikthimi nëse arrihet marrëveshje me klubin ishullor.

Sa i përket repartit defensiv, në listën e dëshirave vazhdojnë të jenë emra si Alessandro Bastoni i Interit dhe Alejandro Grimaldo i Bayer Leverkusen.

Interesimi për Bastonin është i njohur prej kohësh, ndërsa për Grimaldon ka pasur raportime kontradiktore, pavarësisht se ai ishte ofruar edhe verën e kaluar.

Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që Barcelona të dëgjojë oferta për Alejandro Balde gjatë afatit kalimtar të ardhshëm.

Klubi blaugrana pritet gjithashtu të kërkojë një sulmues qendror, që do të shërbejë si zëvendësues afatgjatë i Robert Lewandowskit.

Ky transferim konsiderohet prioritar dhe pritet të ndikojë ndjeshëm në strategjinë e përgjithshme të afatit kalimtar, ndërsa drejtori sportiv Deco ende nuk ka një panoramë të qartë përfundimtare mbi mundësitë financiare dhe lëvizjet që do të realizohen.

 

MARKETING