Eksperti turk: Mbështetja e NATO-s për Türkiyen, test mbi Aleancën mes tensioneve në Lindjen e Mesme

Eksperti turk: Mbështetja e NATO-s për Türkiyen, test mbi Aleancën mes tensioneve në Lindjen e Mesme

“Mbështetja e NATO-s për Türkiyen në rast të përshkallëzimit të tensioneve rajonale jo vetëm që do të mbështeste Ankaranë, por do të testonte edhe gatishmërinë e Aleancës”, tha të mërkurën një ekspert sigurie gjatë një diskutimi me tryezë të rrumbullakët në Paris mbi marrëdhëniet Türkiye-NATO.

Pedagogu Murat Aslan nga Universiteti “Hasan Kalyoncu”, njëherësh studiues i lartë në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), paralajmëroi se sulmet e fundit të ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit mund të zgjerohen dhe potencialisht të përhapen drejt rajonit të Gjirit.

Ai tha se çdo përshkallëzim do të ndikonte në mënyrë të pashmangshme në interesat e Türkiyes dhe të NATO-s.

Aslani shtoi gjithashtu se konfliktet moderne po përfshijnë gjithnjë e më shumë përballje mes shteteve dhe aktorëve joshtetërorë, duke kërkuar atë që ai e quajti një “përgjigje hibride”, e cila kombinon masa ushtarake, politike dhe të sigurisë.

“Rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, nën presion”

Akademiku Çağrı Erhan, kryekëshilltar i Presidentit të Republikës së Türkiyes, tha se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, i ndërtuar rreth sistemit të Kombeve të Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore, po përballet me presione në rritje.

Duke folur në këtë diskutim, Erhani tha se zhvillimet globale që nga pandemia COVID-19 e kanë shtyrë botën në një periudhë më të pasigurt, të karakterizuar nga rreziqe në rritje për sigurinë, kushte ekonomike të brishta dhe shtim të proteksionizmit.

Takimi i organizuar nga Ambasada e Türkiyes në Paris mblodhi rreth 30 gazetarë francezë dhe turq për të diskutuar marrëdhëniet Türkiye-NATO, si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe luftën Rusi-Ukrainë.

“Rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është nën sulm nga të gjitha anët”, potencoi Erhani.
“Tashmë askush nuk po flet për të drejtën ndërkombëtare. Gjithçka që është në tryezë, bazohet vetëm në interesat kombëtare. Askush nuk po flet për bashkëpunim. Nuk e dimë çfarë lloj rendi ndërkombëtar i ri do të shfaqet”, shtoi ai.
Erhani paralajmëroi gjithashtu se lufta Rusi-Ukrainë mbetet një shqetësim i madh dhe se konflikti i vazhdueshëm që përfshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin dhe Iranin, mund të përshkallëzohet më tej.

MARKETING