Tudor: E bëra për ta mbrojtur Kinskyn
Ndeshja e Champions League mes Atletico Madrid dhe Tottenham u shndërrua në një makth të vërtetë për portierin e ri, Antonin Kinsky. 22-vjeçari, i cili u hodh në fushë si titullar nga trajneri Igor Tudor për të zëvendësuar Vicarion, pati një nga fillimet më të rënda në historinë e këtij kompeticioni.
Vetëm brenda 17 minutave të para, Kinsky u bë protagonist negativ i dy gabimeve që i dhuruan skuadrës spanjolle një avantazh të trefishtë. Gabimi i parë erdhi pas një rrëshqitjeje fatale, ndërsa i dyti pas një goditjeje të gabuar të topit që përfundoi në këmbët e Julian Alvarez, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte me portën e boshatisur.
Igor Tudor, i gjendur nën presionin e një rezultati që po rëndohej me shpejtësi, vendosi ta largonte portierin çek nga fusha pas 17 minutave. Pamjet e lojtarit duke u larguar mes lotëve drejt tunelit bënë xhiron e botës, ndonëse lojtarë si Gallagher dhe Solanke u përpoqën t’i jepnin kurajë.
Pas përfundimit të takimit, i cili u mbyll me shifrat 5-2, Tudor doli përpara mediave duke thënë se ky veprim, ndonëse i dhimbshëm, ishte i domosdoshëm për të mbrojtur integritetin emocional të lojtarit dhe për të ndalur rënien e lirë të ekipit.
“Ajo që ndodhi është shumë e rrallë. Kam qenë trajner për 15 vjet, nuk e kam bërë kurrë më parë këtë. Ishte e nevojshme ta mbroja atë së pari dhe pastaj ekipin. Ishte një situatë e paprecedentë, nuk ka asgjë për të komentuar.
Fatkeqësisht, ndodhi në këtë ndeshje të madhe. Ai kërkoi falje. Ekipi është me të, dhe unë jam gjithashtu. Fola me të. Ai e kupton momentin, e kupton pse doli jashtë.
Siç thashë, ai është një portier shumë i mirë. Ne jemi me të, jemi të gjithë së bashku në këtë. Nuk ka të bëjë kurrë me një lojtar të vetëm”, theksoi Tudor.
Megjithatë, kjo lëvizje nuk u prit mirë nga ish-portieri Joe Hart, i cili kritikoi ashpër teknikun kroat, duke sugjeruar se një zëvendësim i tillë kaq i hershëm mund të ketë pasoja shkatërruese për karrierën dhe besimin e një portieri të ri.

