Mbappe ka një lëndim në gju, a do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale?
Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, është diagnostikuar me një shtrembërim të gjurit të majtë dhe nuk do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në këtë fazë.
27-vjeçari i kombëtares franceze ka vuajtur nga një dëmtim në ligamentin e jashtëm të gjurit të majtë që nga fundi i vitit 2025.
Ai humbi ndeshjen e kthimit të play-off-it të Ligës së Kampionëve javën e kaluar kundër Benficës dhe udhëtoi për në Paris për më shumë teste, shkruan BBC.
Mbappe do të mungojë për ndeshjen e La Ligës me Getafen të hënën, ndërsa disponueshmëria e tij për t’u përballur me Manchester Cityn në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve javën e ardhshme nuk është e qartë, transmeton Sinjali.
Real Madridi tha se “diagnoza e një shtrembërimi në gjurin e tij të majtë është konfirmuar” dhe Mbappe do të vazhdojë me rrjedhën aktuale të “trajtimit konservativ”.
Përfaqësuesit e Mbappe thanë se ai ishte në kryeqytetin francez me anëtarët e stafit mjekësor të Real Madridit.
Në marrëveshje me klubin, ai po i nënshtrohet testeve të mëtejshme në gju me qëllim optimizimin e kujdesit pasues dhe përgatitjen për rikthimin e tij”, thuhet në një deklaratë.
“Asnjë ndërhyrje kirurgjikale nuk është planifikuar për momentin”.
Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, tha javën e kaluar se vendimi për t’i dhënë Mbappes, i cili ka shënuar 38 gola në 33 paraqitje për klubin këtë sezon, kohë për t’u rikthyer në formë të plotë fizike ishte i ndërsjellë.
“Ishte një lloj konsensusi midis të gjithëve dhe mendojmë se gjëja më e mirë është që ai të ndalet, të rikuperohet dhe të kthehet në 100% formën e tij”, tha Arbeloa.
“Nuk do të jetë çështje ditësh, do të jetë pak më e gjatë, por nuk mund të them se sa kohë. Shpresojmë jo shumë gjatë.”

