(VIDEO) Konflikti në Lindjen e Mesme: Mbi 400 shtetas të RMV-së në pritje të evakuimit
Mbi 400 shtetas maqedonas po presin evakuim nga disa shtete në Lindjen e Mesme, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe tensioneve në rajonin e Lindjes së Mesme. Sipas informacioneve më të fundit, po përgatitet një plan për evakuimin e sigurt të shtetasve maqedonas nga Irani, ndërsa për ata që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, për momentin nuk ekzistojnë kushte të sigurta për evakuim.
Autoritetet bëjnë të ditur se po koordinojnë aktivitetet me ambasadat partnere dhe institucionet ndërkombëtare për organizimin e korridoreve të sigurta të largimit. Një pjesë e shtetasve ndodhen në Izrael, ku situata e sigurisë mbetet e tensionuar, ndërsa të tjerë janë në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për arsye pune apo qëndrime të përkohshme dhe kanë shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në rajon.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, me çka ka shprehur solidaritetin me popullin e Emirateve të Bashkuara dhe i ka shprehur ngushëllime për viktimat nga sulmet. Gjatë kësaj bisede, u fol edhe për shtetasit e maqedonisë që ndodhen në rajonin e lindjes së mesme.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Në bisedë theksova edhe nevojën për kujdes dhe koordinim të shtuar për sigurinë e shtetasve maqedonas që ndodhen në rajon. Informova se institucionet e shtetit janë plotësisht të mobilizuara dhe po e ndjekin me kujdes situatën, me gatishmëri për ndihmë, mbështetje dhe asistencë në kohë, nëse kjo do të jetë e nevojshme”.
Pas tensionimit të situatës në Lindjen e Mesme, presidentja Gordana Siljanoska Davkova mblodhi të dielen Këshillin e Sigurisë. Pas mbledhjes, presidentja deklaroi se, gjendja në shtet është stabile dhe nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë.
Teuta Buçi /SHENJA/

