Rreth 875 pasagjerë evakuohen nga një traget në Greqi pas një alarmi për bombë
Një alarm për praninë e mundshme të një mjeti shpërthyes në bordin e një trageti që pritej të nisej nga qyteti portual grek i Pireut, bëri që të hënën të evakuoheshin rreth 875 pasagjerë, raportoi gazeta “Kathimerini”, transmeton Anadolu.
Rojet bregdetare nisën kontrollin e tragetit pasi një person i paidentifikuar telefonoi një pasagjer në bord, duke e paralajmëruar se një bombë do të shpërthente së shpejti.
Pas kontrollit të kryer nga autoritetet, nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes.
Trageti, i cili do të nisej drejt ishullit të Rodosit, me ndalesa të ndërmjetme në Siros, Patmos, Leros dhe Kos, kishte në bord edhe 83 anëtarë të ekuipazhit. Ai transportonte gjithashtu 89 vetura, 12 motoçikleta, 110 kamionë dhe një minibus.
Evakuimi ndodhi pas disa kërcënimeve të raportuara për bomba në fluturime të pasagjerëve në vende të ndryshme të Evropës javën e kaluar, të cilat shkaktuan ulje emergjente, devijime të itinerareve, shoqërime nga avionë ushtarakë dhe kontrolle sigurie në aeroporte të disa vendeve.

