FIFA aprovon ‘Ligjin Vinicius’ pas incidentit që ndodhi në Ligën e Kampionëve
FIFA dhe Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB) kanë miratuar një rregull të ri që ndalon lojtarët të mbulojnë gojën me fanellë, duar apo çdo objekt tjetër gjatë komunikimit me kundërshtarët, në një përpjekje të drejtpërdrejtë për të luftuar racizmin dhe abuzimin verbal në fushë.
Masa, e quajtur jozyrtarisht “Ligji Vinicius” nga mediat spanjolle, vjen pas incidenteve të fundit me profil të lartë, përfshirë hetimin në vazhdim të UEFA ndaj lojtarit të Benficas, Gianluca Prestianni, i cili dyshohet se e ka ofenduar me thirrje raciste sulmuesin e Real Madridit, Vinicius Junior, gjatë ndeshjes së parë të ‘play-off’-it të Ligës së Kampionëve në Lisbonë.
Vendimi u mor në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të IFAB më 28 shkurt, ku organi përgjegjës për rregullat e lojës ra dakord ta ndalojë gjestin që u mundëson futbollistëve të fshehin fyerjet apo gjuhën ofenduese nga gjyqtarët, kamerat televizive dhe ekspertët e leximit të buzëve.
Sipas raportimeve të mediumit spanjoll AS, rregulli synon të rrisë transparencën dhe ta bëjë më të lehtë identifikimin e komenteve diskriminuese apo ofenduese gjatë ndeshjeve.
Si masë fillestare disiplinore po diskutohet kartoni i verdhë për shkelësit, ndërsa rregulloret përkatëse pritet të përshtaten në muajt e ardhshëm, përpara Kupës së Botës 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
FIFA prej kohësh ka zhvilluar fushata kundër racizmit dhe ka vendosur protokolle për të identifikuar dhe ndëshkuar shkelësit, por pranon se problemi vazhdon të mbetet i pranishëm pavarësisht përpjekjeve të deritanishme.

