Çfarë do të bëjë FIFA në rast se Irani tërhiqet nga Botërori shkaku i luftës me SHBA-të?

Çfarë do të bëjë FIFA në rast se Irani tërhiqet nga Botërori shkaku i luftës me SHBA-të?

Përplasjet e fundit ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë krijuar një sfond të tensionuar për Kupën e Botës që do të mbahet këtë verë në Amerikën e Veriut.

Tensionet janë rritur ndjeshëm, ndërsa Irani përfshihet në listën e 38 shteteve që preken nga ndalimi i plotë i udhëtimeve i administratës së Donald Trump. Lojtarët dhe stafi i kombëtares iraniane përjashtohen nga ky ndalim, por çështjet me vizat kanë shkaktuar pasiguri.

Madje, zyrtarë iranianë kishin paralajmëruar bojkot të shortit të Kupës së Botës në Uashington, përpara se ta tërhiqnin vendimin.

Situata u përshkallëzua edhe më tej pasi administrata amerikane njoftoi për “operacione të mëdha luftarake” kundër Iranit. SHBA-të, në bashkëpunim me Izraelin, realizuan sulme në disa zona të Iranit, përfshirë kryeqytetin Teheran.

Këto zhvillime kanë shtuar pasiguritë mbi pjesëmarrjen e Iranit në Kupën e Botës, ku 78 nga 104 ndeshjet e turneut në Amerikën e Veriut do të zhvillohen në territorin amerikan, në 11 qytete pritëse.

Irani e siguroi kualifikimin në muajin mars, duke përfunduar i pari në Grupin A të kualifikueseve aziatike dhe duke prerë biletën për herë të shtatë në histori.

Mbetet për t’u parë se çfarë ndikimi do të kenë zhvillimet e fundit në pjesëmarrjen e tyre.

Rregullorja e FIFA parashikon që, në rast të tërheqjes ose përjashtimit të një skuadre, ajo zëvendësohet “nga një alternativë e nominuar, zakonisht nënkampioni i drejtpërdrejtë nga ‘play-off’-i përkatës kualifikues ose skuadra më lart e renditur që nuk është kualifikuar nga ajo konfederatë”.

Nëse zëvendësimi rezulton i vështirë për arsye kohe, vizash apo udhëtimi, FIFA mund të caktojë një skuadër tjetër në grup duke ruajtur kalendarin, ose në raste të jashtëzakonshme të rishikojë përbërjen e grupeve.

Në këtë skenar, Emiratet e Bashkuara Arabe mund të përfitojnë. Emiratet e Bashkuara Arabe ishin skuadra më e renditur që nuk arriti të kualifikohej nga Azia dhe sipas renditjes, do të ishin ndër kandidatët kryesorë për të zënë vendin e lirë në rast se Irani nuk merr pjesë.

MARKETING