Ali Ahmeti takon Johannes Hahn: Integrimi në BE mbetet prioritet i pakontestueshëm

Ali Ahmeti takon Johannes Hahn: Integrimi në BE mbetet prioritet i pakontestueshëm

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim me ish-Komisionarin Evropian për Buxhet dhe Administratë, si dhe ish-Komisionerin për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn.

Ahmeti bëri të ditur se në fokus të bisedës ishte perspektiva evropiane e vendit dhe domosdoshmëria e përshpejtimit të reformave.

“Sot zhvillova një takim miqësor me z. Johannes Hahn. Gjatë bisedës diskutuam mbi rëndësinë strategjike të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, si proces kyç për stabilitetin afatgjatë, konsolidimin demokratik dhe forcimin e shtetit të së drejtës,” deklaroi Ahmeti.

Ai theksoi se rruga drejt BE-së nuk është çështje taktike, por orientim strategjik i padiskutueshëm.

“Rruga evropiane mbetet prioritet i pakontestueshëm dhe interes kombëtar, që kërkon përgjegjësi dhe vendosmëri politike,” u shpreh ai.

Në takim, sipas Ahmetit, u diskutua edhe për rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si bazë e funksionimit demokratik të shtetit multietnik.

“U theksua rëndësia e zbatimit të plotë dhe konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit si themel i bashkëjetesës dhe funksionimit demokratik të shtetit multietnik, në përputhje me standardet evropiane,” theksoi Ahmeti.

Po ashtu, ai bëri të ditur se është nënvizuar nevoja për reforma të qëndrueshme dhe dialog politik konstruktiv.

“Ritheksuam nevojën për reforma të qëndrueshme dhe dialog politik konstruktiv, që forcon besimin mes komuniteteve dhe rrit besueshmërinë ndërkombëtare të vendit,” përfundoi kreu i BDI-së.

MARKETING