Shkëndija sonte synon përmbysjen historike ndaj Samsunsporit
Shkëndija e Tetovës sonte do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Samsunsporit në kuadër të fazes së plej of-it në Ligën e Konferencës. Kuqezinjtë do të kërkojnë të përmbysin negativën prej 0:1 nga ndeshja e parë, për të vazhduar ta jetojnë edhe më tej ëndrrën europiane. Për skuadrën tetovare ky është dueli i 16-të në arenën ndërkombëtare brenda këtij sezoni, një statistikë që dëshmon se Shkëndija po kalon epokën më të mirë në historinë e saj. Trajneri Jeton Beqiri nuk do të ketë mungesa për përballjen e sontme. Pas pezullimit për shkak të kartonëve, rikthehen Liridon Latifi dhe Aleksandar Trumçi, teksa gati për lojë pritet të jenë edhe Fetai, Vebster dhe Murati, të cilët munguan në takimin e fundit kampional ndaj Sileksit për shkak të lëndimeve. Në kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë optimizmi dhe besimi se me paraqitje dinjitoze mund të arrijnë qëllimin për të përmbysur rezultatin dhe për të vazhduar rrugëtimin europian. Ndeshja ndërmjet Samsunsporit dhe Shkëndijës do të luhet sonte me fillim nga ora 18:45.

