Ndihma në ushqime për familje në nevojë, realizim i projekteve humanitare në prag të Ramazanit
Fondacioni ALSAR ka zhvilluar në tre ditët e fundit të javës së sapombyllur disa aktivitete humanitare në kuadër të projekteve të ndihmës për familje në nevojë.
Shpërndarja e ndihmave ushqimore është bërë në prag të Ramazanit, në bashkëpunim dhe koordinim me partnerë të ALSAR-it.
Një sasi prej 800 pakosh janë shpërndarë për familje në nevojë në lokalitete të ndryshme të vendit.
Të parët kanë përfituar anëtarë të shoqatës “Shpresa për jetën” në Tiranë; pako janë dhënë për 100 familje.
Në ditën e dytë të këtij aksioni humanitar është dhënë realizuar shpërndarja e 200 pakove me ushqime në fshatin Ponçarë të Devollit dhe e 200 pakove të tjera në Korçë.
Për 250 familje në fshatrat Zall-Bastar dhe Vilëz të Tiranës është dhënë kjo ndihmë me pako ushqimore në ditën e tretë.
Konviktit të Fondacionit ALSAR i është ardhur në ndihmë me 50 pako.
I tërë aktiviteti është kryer në ndërveprim me koordinatorët lokalë të fondacionit.
HASENE, organizata e ndihmave humanitare me qendër në Gjermani, ka mundësuar realizimin e projektit të gjerë humanitar. Përfaqësues të saj kanë qenë të pranishëm në shpërndarjen e ndihmës, kanë parë nga afër kushtet e jetesës të përfituesve, si dhe kanë kryer vizita në disa familje në nevojë.
Zhvillimi i projekteve të ndihmës humanitare në prag të Ramazanit dhe gjatë tij përsëritet për çdo vit, si një traditë tashmë e konsoliduar e aktivitetit humanitar të ALSAR-it.










