(VIDEO) Mickoski pret që kryeprokurori i ri t’i hetojë lëndët të “mbajtura në sirtar”
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që kryeprokurori, i cili pritet të zgjidhet së shpejti, të jetë mbrojtës i ligjit dhe drejtësisë dhe t’i hetojë të gjitha lëndët që kanë qenë të “mbajtura në sirtar. Aty ku nuk ka prova, t’i mbyllë, ndërsa aty ku ka prova, të formojë lëndë dhe t’i dërgojë në gjykatë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“E para që duhet të bëjë është që të gjitha ata dokumente dhe raste që janë mbajtur në sirtar t’i nxjerrë dhe t’i hetojë. Aty ku nuk ka mjaftueshëm dëshmi, t’i mbyllë, aty ku ka dëshmi, të formojë raste dhe t’i dorëzojë në gjykatë, pastaj gjykata duhet të vendosë nëse do të nisë ose jo proces gjyqësor. Pres të jetë mbrojtës i së drejtës, gjenerues i drejtësisë dhe kjo është ajo që pres nga kryeprokurori i ri”.
Ndërkaq, Qeveria të martën në mbledhje ka miratuar një konkluzion lidhur me pesë kandidatët për kryeprokuror dhe, në përputhje me ligjin, do t’ia dërgojë Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Kuvendi e ka njoftuar Qeverinë për përfundimin e shpalljes për prokuror publik dhe i ka dorëzuar listën me pesë kandidatë. Qeveria, sipas dispozitave ligjore, do ta dërgojë listën në Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili ka afat 15 ditë të japë mendim. Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, kandidaturat i dërgohen Qeverisë, e cila kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjë kandidat, Qeveria nuk mund të propozojë emër dhe duhet të shpallet konkurs i ri. Prokurori i ri i Përgjithshëm zgjidhet në Kuvend me 61 vota të deputetëve.
Samir Mustafa /SHENJA/

