I kërkuar për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut, kapet në Tiranë
Një shtetas i kërkuar ndërkombëtarisht për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut është arrestuar në Tiranë nga Policia e Shtetit, në kuadër të fazës së 80-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”.
Bëhet fjalë për Besim Sherifin, 52 vjeç, banues në Kopanicë, Saraj të Maqedonisë së Veriut, i cili prej kohësh fshihej në kryeqytetin shqiptar, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara në emër të një shtetasi nga Kosova.
Sipas Policisë së Shtetit, pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, i dyshuari është lokalizuar në zonën e Liqenit të Thatë, ku edhe është arrestuar me qëllim ekstradimin.
Nga verifikimet rezultoi se 52-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Shkupi, pasi Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja”, e cila sipas legjislacionit penal të Maqedonisë së Veriut dënohet me burgim të përjetshëm.
Sipas autoriteteve, Sherifi dyshohet se më 5 tetor 2007, në fshatin Kopanicë të Shkupit, ka vrarë me armë zjarri tre shtetas.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, policia i ka sekuestruar një pasaportë kosovare, kartë identiteti dhe leje drejtimi automjeti të falsifikuara, me të dhënat e një shtetasi nga Kosova.
Policia ka njoftuar se materialet procedurale për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, po vijon procedurat për ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut.

