Putini raportohet se nuk po arrin të aterrojë në Moskë për shkak të sulmit me dronë
Një aeroplan special qeveritar, që po kthehej nga samiti i Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS) në Turkmenistan, raportohet se ka fluturuar në qarqe mbi Moskë, mes sulmeve me dronë në kryeqytetin rus.
Ende nuk dihet nëse në bord ndodhet presidenti rus, Vladimir Putin, apo vetëm anëtarë të delegacionit të tij.
Ndërkohë, më shumë se 370 fluturime janë vonuar, ndërsa dhjetëra të tjera janë anuluar për shkak të situatës së krijuar.
Në Moskë dhe rajonin përreth është aktivizuar alarmi ajror, në përgjigje të sulmit me dronë.
Gjatë sulmeve të tilla, aeroportet ruse zakonisht aktivizojnë protokollin emergjent të quajtur “Qilimi” (Carpet), i cili parashikon pezullimin e të gjitha nisjeve dhe aterimeve për arsye sigurie.
Masat e tilla shkaktojnë ndërprerje të mëdha në trafikun ajror, duke sjellë vonesa të konsiderueshme dhe anulime të fluturimeve për mijëra udhëtarë.
Deri më tani, nuk ka konfirmim të pavarur nëse Vladimir Putin ndodhet në aeroplanin që raportohet se po qarkullon mbi Moskë.

