EBA-ja: Bashkëpiloti i FlyDubait planifikoi “sulm vetëvrasës” në Aeroportin “Ben Gurion”
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan të premten se bashkëpiloti i kompanisë ajrore FlyDubai kishte planifikuar të merrte kontrollin e avionit dhe të kryente “sulm vetëvrasës” në Aeroportin “Ben Gurion” në Tel Aviv në incidentin e javës së kaluar, transmeton Anadolu.
Prokurori i Përgjithshëm Federal, Hamad Saif Al Shamsi, tha se hetimet për fluturimin e 30 shtatorit nga Dubai drejt Tel Avivit kanë zbuluar se bashkëpiloti 29-vjeçar nga Omani e kishte planifikuar sulmin paraprakisht, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve WAM.
I dyshuari “kishte nisur zbatimin e një komploti terrorist të paramenduar për të marrë kontrollin e avionit dhe për ta përdorur atë për të kryer një sulm vetëvrasës kundër terminalit të pasagjerëve në Aeroportin ‘Ben Gurion’ në Tel Aviv, me qëllim shkaktimin e numrit më të madh të mundshëm të viktimave”, tha Al Shamsi.
Prokurori i përgjithshëm tha se hetuesit kanë shqyrtuar “formimin ideologjik dhe profesional” të të dyshuarit.
Sipas Al Shamsit, hetuesit kanë zbuluar se shenja të “ekstremizmit dhe terrorizmit” ishin shfaqur në vitin 2017, kur i dyshuari studionte në Australi.

