(VIDEO) Debat mbi pasurinë e liderit politik, LSDM kritikon, VMRO mbrohet
LSDM ka sulmuar kryeministrin, Hristijan Mickoski, për koleksionin e tij të orëve luksoze, duke theksuar se vlera e tyre, rreth 60.000 euro, është e barabartë me 150 paga minimale në vend. Partia e percepton këtë situatë si simbol të ndarjes së elitës politike nga jetët e përditshme të qytetarëve.
LSDM
“Ndërsa punëtorët e RMV-së luten për bukë, Qeveria e Mickoskit u thotë se nuk ka para për rritje të pagave. Ka para për sahatë të shtrenjtë, tenderë, aeroplan të ri dhe udhëtime turistike si ai në Davos, por nuk ka para për punëtorët”.
Sipas LSDM-së, nëse Mickoski do të kishte vendosur dikur, sot Maqedonia mund të ishte provincë ruse ose koloni kineze, e jo anëtare e NATO-s.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka reaguar duke mbrojtur liderin e tyre. VMRO thekson se Mickoski ka punuar më parë në sektorin privat të energjetikës dhe ka fituar të ardhurat nga aktiviteti i tij profesional, gjithmonë në mënyrë të ndershme dhe transparente.
VMRO-DPMNE
“Kjo është para se të hynte në politikë, ndërsa të tjerët, si Filipçe dhe Zaev, kanë arritur pasuri të dyshimta gjatë kohës së tyre në pushtet”.
Sipas VMRO-së, krahasimi mes Mickoskit dhe ish-liderëve të LSDM-së tregon diferencën: Mickoski ka fituar në mënyrë të ligjshme, ndërsa disa figura të LSDM-së janë pasuruar në mënyrë të diskutueshme përmes pushtetit. VMRO-DPMNE fton LSDM-në të verifikojë çdo dyshim ligjor përmes gjyqësorit dhe prokurorisë. /SHENJA/

