“Duhet të merret në konsideratë bojkoti i Kupës së Botës”, Gjermania vazhdon të kërcënoj

“Duhet të merret në konsideratë bojkoti i Kupës së Botës”, Gjermania vazhdon të kërcënoj

Një nga nënkryetarët e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) beson se ekipet kombëtare duhet të marrin në konsideratë bojkotimin e Kupës së Botës 2026 për shkak të sjelljes dhe veprimeve të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Oke Gottlich, anëtar i bordit ekzekutiv të DFB-së dhe president i klubit të Bundesligës, St. Pauli, tha se “ka ardhur koha” për të “shqyrtuar dhe diskutuar seriozisht” mundësinë e një tërheqjeje masive nga turneu, i cili po mbahet këtë verë në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, shkruan Daily Mail.

Thirrja e Gottlich erdhi pasi Trump në javët e fundit vuri në pikëpyetje forcën e aleancës së NATO-s, shprehu interes për të marrë Grenlandën, e cila është një territor i Danimarkës, dhe kërcënoi të vendoste tarifa për tetë vende evropiane që kundërshtuan këtë veprim.

Për shkak të lëvizjeve të tilla që kanë dëmtuar marrëdhëniet me aleatët kryesorë, Gottlich beson se një bojkot duhet të diskutohet seriozisht.

Gottlich bëri një paralele me bojkotet historike të sporteve. “Cilat ishin justifikimet për bojkotimin e Lojërave Olimpike në vitet 1980?” pyeti ai.

“Sipas mendimit tim, kërcënimi potencial është më i madh tani sesa ishte atëherë. Duhet ta diskutojmë këtë”, tha Gottlich.

Ai gjithashtu kritikoi atë që e sheh si një mospërputhje në qëndrimin e botës së futbollit, duke e krahasuar situatën me Kupën e Botës të mëparshme.

“Katari ishte shumë politik për të gjithë, dhe tani jemi plotësisht apolitikë? Kjo është diçka që më shqetëson vërtet. Si organizata dhe si shoqëri, po harrojmë si të vendosim tabu dhe kufij dhe si të mbrojmë vlerat. Tabutë janë një pjesë thelbësore e qëndrimit tonë”.

“A thyhet tabuja kur dikush kërcënon? A thyhet tabuja kur dikush sulmon? Kur vdesin njerëz? Do të doja të dija nga Donald Trump se kur e arriti tabunë e tij, dhe do të doja të dija nga Bernd Neuendorf (president i Federatës Gjermane të Futbollit) dhe Gianni Infantino (president i FIFA-s)”, përfundoi gjermani.

MARKETING