E konfirmuar: Ylli i Man Unitedit do të largohet në fundin e sezonit
Mesfushori Casemiro do të largohet nga Manchester United në fund të këtij sezoni, sapo t’i skadojë kontrata aktuale.
33-vjeçar ka në kontratë një opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër, por skuadra angleze përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar se bashkëpunimi nuk do të vazhdojë.
“The Athletic” kishte raportuar në janar se klauzola e zgjatjes njëvjeçare mund të aktivizohej edhe automatikisht nëse Casemiro do të niste si titullar një numër të caktuar ndeshjesh, që besohet të jetë 35, gjatë sezonit 2025/26.
Megjithatë, pas eliminimeve të hershme të Manchester United nga të dyja kupat vendase, braziliani do të duhej të ishte titullar në të gjitha 16 ndeshjet e mbetura të Liga Premier për ta arritur këtë shifër, diçka që konsiderohet shumë pak e mundshme.
Reprezentuesi i Brazilit iu bashkua Manchester United nga Real Madridi në verën e vitit 2022, në një transferim që i ka kushtuar klubit anglez të paktën 60 milionë funte (rreth 80.9 milionë dollarë).
Paga e Casemiros ka qenë 15 milionë funte në vit për tre sezonet (përfshirë edhe aktualin) në të cilat United nuk ka marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, ndërsa ka shkuar në 18 milionë funte në sezonin e vetëm kur klubi ka qenë pjesë e kompeticionit më të rëndësishëm të klubeve në Evropë.
Këtë sezon, Casemiro ka qenë titullar në shumicën e ndeshjeve të Manchester United nën drejtimin e Ruben Amorim, Darren Fletcher dhe Michael Carrick. Ai ka munguar vetëm në dy humbjet në kupa për shkak të rotacionit, si dhe në ndeshjet e Liga Premier ndaj Brentford dhe Aston Villa për shkak pezullimi.
Që nga ardhja nga Madridi, ai ka qenë një figurë konstante në formacionin e United, edhe pse paraqitjet e tij kanë qenë herë pas here objekt kritikash.
Gjatë këtij sezoni, Casemiro ka regjistruar 21 paraqitje, duke e çuar numrin total të ndeshjeve me fanellën e Manchester United në 146.
Braziliani mbetet gjithashtu pjesë e rregullt e përfaqësueses së Brazilit dhe pritet me shumë gjasë ta përfaqësojë vendin e tij në Kupën e Botës që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë

