Infantino dënon ngjarjet në Senegal-Marok: Largimi nga fusha, sjellje e papranueshme

Infantino dënon ngjarjet në Senegal-Marok: Largimi nga fusha, sjellje e papranueshme

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kritikuar veprimet e lojtarëve të Senegalit gjatë finales së Kupës së Kombeve të Afrikës kundër Marokut.

Senegali u shpall fitues i turneut, por ndeshja u ndërpre për rreth 20 minuta në fund të kohës së rregullt, pasi skuadra braktisi fushën në shenjë proteste ndaj një penalltie të akorduar për kundërshtarët. Infantino e cilësoi këtë sjellje si të papranueshme dhe joprofesionale, duke theksuar se vendimet e arbitrave duhet të respektohen.

“Ne e dënojmë fuqimisht sjelljen e disa tifozëve, si dhe të disa lojtarëve senegalezë dhe anëtarëve të stafit teknik. Është e papranueshme dhe joprofesionale që ata të largohen nga fusha e lojës në këtë mënyrë dhe, po ashtu, dhuna nuk mund të tolerohet në sportin tonë, thjesht nuk është e drejtë”, deklaroi Infantino.

Përveç ngjarjeve në fushë, kreu i FIFA-s dënoi edhe incidentet e dhunshme të ndodhura në shkallët e stadiumit mes tifozëve dhe forcave të sigurisë.

Tensionet nisën në fundin e kohës së rregullt, kur pas ndërhyrjes së sistemit VAR, Maroku fitoi një 11-metërsh kur rezultati ishte 0-0. Pavarësisht udhëzimit të trajnerit për t’u larguar, ishte kapiteni Sadio Mane ai që bindi shokët e skuadrës të ktheheshin në lojë. Portieri Edouard Mendy priti goditjen e Brahim Diaz, duke mbajtur portën të paprekur deri në fund.

MARKETING