Shtatë lojtarë kritikuan Alonson para anëtarëve të bordit, para largimit nga Real Madridi
Mandati i trazuar i Xabi Alonsos si trajner i Real Madridit ka marrë fund më herët gjatë kësaj jave.
Të dyja palët vendosën se ishte e nevojshme një ndarje, vetëm shtatë muaj pas nisjes së bashkëpunimit, pas humbjes 3-2 ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës fundjavën e kaluar.
Alonso e nisi me premtime aventurën e tij në stolin madrilen, me Real Madridin që ishte katër pikë përpara në La Liga pas fitores në El Clasico në muajin tetor.
Megjithatë, që nga ajo periudhë, forma e “Los Blancos” pësoi rënie të ndjeshme, duke bërë që tashmë të jenë katër pikë pas rivalëve të përjetshëm, një përmbysje prej tetë pikësh në renditje.
Një nga arsyet kryesore që çoi në largimin e Alonsos lidhet me marrëdhëniet e tensionuara me disa prej yjeve të ekipit.
Trajneri bask pati një përplasje me Vinicius Junior gjatë Clasicos së përmendur, ndërsa raportohet se ai irritoi edhe disa lojtarë të tjerë të ekipit të parë, të cilët u ankuan drejtpërdrejt te presidenti Florentino Perez dhe bordi drejtues i klubit.
Sipas Cadena SER, gazetari Bruno Alemany zbuloi se stafi i Alonsos “e dinte që nga muaji nëntor se kishte shtatë lojtarë që e kritikonin atë përpara bordit, drejtpërdrejt ose indirekt”, duke shtuar se “disa prej tyre janë titullarë”.
Ndërsa emra konkretë nuk janë bërë ende publikë.

