Xabi Alonso del në mbrojtje të Viniciusit, ‘godet’ Simeonen pas përplasjes verbale me brazilianin

Xabi Alonso del në mbrojtje të Viniciusit, ‘godet’ Simeonen pas përplasjes verbale me brazilianin

Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka dalë hapur në mbrojtje të Vinicius Juniorit, pas përplasjes verbale që sulmuesi brazilian pati me Diego Simeonen gjatë gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës ndaj Atletico Madridit.

Real Madridi triumfoi 2-1 ndaj rivalit të qytetit, duke siguruar kualifikimin në finalen e madhe të Superkupës, ku do të përballet me Barcelonën në një tjetër “El Clasico” që vlen një trofe. Megjithatë, përtej rezultatit, ndeshja u karakterizua nga tension i lartë dhe rivalitet i ashpër që nga minutat e para.
Një nga momentet më të nxehta ishte përplasja mes Vinicius Juniorit dhe trajnerit të Atletico Madridit, Diego Simeone. Sipas mediumit spanjoll COPE, tekniku argjentinas i është drejtuar brazilianit me fjalët: “Florentino Perez do të të largojë, mbaje mend fjalët e mia”.

Pas ndeshjes, në konferencën për shtyp, Xabi Alonso komentoi incidentin dhe u tregua kritik ndaj sjelljes së Simeones, duke lënë të kuptohet se fajin e kishte trajneri i Atleticos.

“Nuk më pëlqeu ai moment. Cholo i tha diçka dhe këto gjëra shkojnë kundër frymës që duhet të kesh ndaj lojtarëve,” deklaroi Alonso.

Trajneri i Real Madridit theksoi se respekti duhet të jetë parësor, pavarësisht rivalitetit:

“Nuk më pëlqen kur lojtarëve u flitet në atë mënyrë. Jo gjithçka është e pranueshme.”

Kështu, përplasja verbale mes Simeones dhe Viniciusit ka shtuar edhe më shumë zjarrin në rivalitetin mes dy skuadrave madrilene, ndërsa Reali tashmë e ka fokusin te finalja ndaj Barcelonës.

MARKETING