I riu Stiven Ivanovski midis të vdekurve në zjarrin në Kran Montana

I riu Stiven Ivanovski midis të vdekurve në zjarrin në Kran Montana

Stiven Ivanovski, i cili ishte raportuar i zhdukur pas zjarrit shkatërrues në Crans-Montana, është gjetur i vdekur. Identiteti i tij u konfirmua përmes analizës së ADN-së.

Ai ishte parë për herë të fundit natën e Vitit të Ri, në momentet kur shpërtheu zjarri në bodrumin e një lokali nate, ku humbën jetën dhjetëra persona dhe qindra të tjerë mbetën të lënduar.

Lajmi u konfirmua edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
“Ka një konfirmim nga Berna. Trupi është identifikuar dhe, fatkeqësisht, bëhet fjalë për një person të vdekur. Një anëtar i familjes e ka konfirmuar identitetin përmes ADN-së. Shprehim keqardhjen dhe ngushëllimet tona më të thella”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Edhe Ambasada Zvicerane reagoi përmes një postimi në Facebook, duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe duke nderuar përpjekjet e ekipeve të emergjencës.
“Ndërsa vajtojmë humbjen tragjike të jetëve dhe vlerësojmë punën e ndihmësve të parë, mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurve”, thuhet në reagim.

Maqedonia e Veriut ka ofruar gjithashtu ndihmë për trajtimin e të plagosurve, duke shprehur gatishmëri për t’i pranuar ata në institucionet shëndetësore të vendit.

Sipas policisë zvicerane, rreth 40 persona humbën jetën nga zjarri, ndërsa më shumë se 100 të tjerë u plagosën. Mediat raportojnë se shumica e të pranishmëve në lokal ishin të rinj, kryesisht të moshës 15 deri në 20 vjeç.

Autoritetet bëjnë të ditur se mes viktimave ka shtetas të kombësive të ndryshme dhe se procesi i identifikimit të plotë mund të zgjasë disa javë.

Zhdukja e Stiven Ivanovskit kishte shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku familjarë dhe miq bënin thirrje për ndihmë dhe informacion mbi fatin e tij.

MARKETING