KShPK vitin e ardhshëm do ta ndjekë gjendjen pronësore të 60 zyrtarëve
Gjashtëdhjetë zyrtarë, dhjetë gjyqtarë, dhjetë prokurorë publikë, dhjetë deputetë, dhjetë ministra, dhjetë kryetarë komunash dhe dhjetë persona, pozicionet e të cilëve si kryetarë komunash janë ndërprerë në vitin 2025, do të përfshihen në Planin vjetor për monitorimin e gjendjes pronësore dhe ndeshjes së interesave të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2026, dhe emrat e tyre do të përcaktohen muajin e ardhshëm.
KShPK në seancën e sotme të 26-të e miratoi planin vjetor për monitorimin e gjendjes pronësore dhe ndeshjes së interesave për vitin 2026, ndërsa kryetari i tij Adem Çuçul tha se i ka marrë parasysh rekomandimet e Komisionit Evropian me ç’rast kanë vendosur të rritet numri i zyrtarëve, që do të përfshihen.
Çuçul sqaroi se sipas nenit 19 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjes së interesave në tre muajt e fundit nga viti rrjedhës KSHPK miraton plan vjetor për vitin e ardhshëm, të themeluar mbi vlerësimin e rrezikut nga korrupsioni, me ç’rast janë marrë parasysh analizat e Strategjisë kombëtare aktuale dhe të ardhshme.
Ai theksoi se merren parasysh planet vjetore nga vitet e kaluara, domethënë monitorohet situata në fushat që konsiderohen më të ndjeshme ndaj korrupsionit – gjyqësori, pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv dhe vetëqeverisja lokale.
“Duke i marrë parasysh rekomandimet e Komisionit Evropian për përforcimin e monitorimit të gjendjes pronësore nga ana e KShPK-së propozojmë të rritet numri i zyrtarëve, të përfshirë në këtë monitorim të gjendjes pronësore dhe ndeshjes së interesave, në 60”, tha Çuçul.
Ai sqaroi se emrat e gjyqtarëve, prokurorëve publik, deputetëve, ministrave, ish kryetarëve të komunave dhe atyre të tanishëm do të konfirmohen në janar, në bazë të analizës së të dhënave në bazën elektronike të të dhënave.
KShPK sot e miratoi Programin për punë për vitin 2026. Siç shpjegoi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul, në Program, përveç përcaktimeve strategjike të Komisionit drejt përmbushjes së dispozitave të ligjeve që mbulojnë punën e tij, përgatitja e tij mori parasysh edhe rekomandimet nga raporti i Komisionit Evropian në këtë fushë, rekomandimet nga GREKO, masat dhe aktivitetet nga Strategjia kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjes së interesave 2021-2025, si dhe Strategjia kombëtare 2026-2030.
Në seancë anëtarët e KShPK-së e miratuan edhe Planin vjetor për zbatimin e kontrollit antikorruptues të legjislativës për vitin 2026.
Çuçul shpjegoi se ky proces zbatohet bazuar në një plan vjetor dhe mbi kërkesat e miratuara për mendime dhe aktet e paraqitura nga institucione të tjera, kryesisht Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, dhe kryhet bazuar në një metodologji të miratuar nga KSHPK-ja.
Plani, siç shpjegoi ai, mbulon disa nga ligjet që nuk u përfunduan, por që janë të përfshira në planin për këtë vit. Inspektimi kundër korrupsionit, shtoi Çuçul, do të kryhet mbi ligjin për lobimin, ligjin për vetëqeverisjen lokale, ligjin për dëshminë e ekspertëve, ligjin për financimin e partive politike, rregulloren për dhënien e licencave të punës për punonjësit e kujdesit shëndetësor me arsim të lartë dhe ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Anëtarët e KSHPK-së votuan gjithashtu për të nxjerrë jashtë fuqisë Udhëzimet për renditjen e çështjeve për veprim nga KSHPK-ja bazuar në raportet e dorëzuara, të cilat, siç shpjegoi Çuçul, u miratuan më 12 shkurt të vitit 2021, me qëllim rregullimin, pra renditjen, e çështjeve që formohen në KShPK.
Ai shpjegoi se KShPK-ja merr një numër të madh raportesh dhe një pjesë e caktuar e tyre janë të përgjithshme dhe nuk janë në kompetencë të Komisionit. Çuçul tha se udhëzimet nuk dhanë rezultate, duke lejuar subjektivitet në renditje dhe shtoi se ndryshimet në Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjes së interesave dhe Rregulloren e punës do të rregullojnë gjithashtu mënyrën e trajtimit të rasteve dhe renditjen e tyre.

