Nis numërimi i votave në Kosovë, dalin parashikimet e para të rezultateve

Nis numërimi i votave në Kosovë, dalin parashikimet e para të rezultateve

Në shumicën e vendvotimeve ka nisur numërimi i votave, tha kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në konferencën për media pas përfundimit të procesit të votimit.

MARKETING

Description of image

Radoniqi tha se deri më tani nuk janë evidentuar incidente që do të cenonin integritetin e zgjedhjeve.

Ai tha se dalja në zgjedhje është mbi 44 për qind, ndërkaq zgjedhjet e kaluara, të mbajtura në shkurt bazuar në 91 për qind të vendvotimeve të procesuara, kishin votuar 40 për qind e trupit zgjedhor.

Në orët e pasdites, Radoniqi tha se ka pasur ndërprerje të shkurtra të rrymës deri në 10 minuta në tri qendra votimi në Rahovec, Dragash dhe Han të Elezit, por KEDS-i e ka rregulluar menjëherë problemin.

Dalja në zgjedhjet e së dielës është 44.56 për qind, sipas 98.32 për qind të vendvotimeve të procesuara.

Bazuar në këto të dhëna të publikuara në platformën e KQZ-së, del se dalja është më e lartë se në zgjedhjet e 9 shkurtit, kur brenda vendit deri në orën 19:00 kishin votuar 40 për qind e trupit votues.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, tri televizione në Kosovë kanë publikuar rezultatet e exit poll-eve, duke e nxjerr të parën Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Sipas sondazhit të televizionit Dukagjini, LVV-ja pritet të fitojë 45.7 për qind, PDK-ja 22, LDK-ja 15.6 për qind dhe AAK-ja 5.3.

Sondazhi i Klan Kosovës parashikon që LVV-ja të fitojë 44.1 për qind, PDK-ja 23.9, LDK-ja 16.1 për qind dhe AAK-ja 5.8 për qind.

Ndërkaq, exit poll-i i T7-shit nxjerr LVV-në me 43.5 për qind, PDK-në me 23.6 për qind, LDK-në me 15.9 për qind dhe AAK-në me 7.2 për qind.

Asnjëra nga këto sondazhe nuk ka parashikuar që Nisma Socialdemokrate të kalojë pragun zgjedhor./REL

MARKETING