Filloi procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë
Ka filluar në Republikën e Kosovës procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, pas krizës disamujore politike për të formuar qeveri të re, raporton Anadolu.
Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.076.290 prej të cilëve 1.999.204 janë votues që do të mund të votojnë sot brenda Kosovës, nga ora 7:00 deri në orën 19:00.
Sa i përket votimit nga jashtë Kosovës, për të votuar u regjistruan 77.086 votues të cilët jetojnë në diasporë dhe patën mundësi ta ushtrojnë këtë të drejtë nga data 12 deri më 27 dhjetor.
Për herë të parë, në Kosovë janë regjistruar 7.192 votues më shumë se në Zgjedhjet Lokale të cilat u mbajtën më 12 tetor 2025.
Numri i Qendrave të Votimit të cilat do të hapen sot janë 948 me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës po marrin pjesë 24 subjekte politike me 1.180 kandidatë për deputetë. Nga këto subjekte, 18 janë parti politike, tri koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Edhe këto zgjedhje do të monitorohen nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe misione nga Bashkimi Evropian, me qëllim të garantimit të një procesi të rregullt, të lirë dhe demokratik.
Rezultatet preliminare të procesit zgjedhor pritet të bëhen publike disa orë pas mbylljes së kutive të votimit.

