Bejta: Jam kryetari i parë që ka ndërtuar urën lidhëse mes dy anëve të lumit Vardar
Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta, gjatë paraqitjes së tij sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, prezantoi disa nga projektet që i cilësoi si më të rëndësishmet gjatë mandatit të tij të dytë si kryetar komune.
Bejta theksoi se gjatë mandatit të dytë është realizuar ndërtimi i urës lidhëse mes dy anëve të lumit Vardar, e cila, sipas tij, ka ndikuar drejtpërdrejt në lehtësimin e qarkullimit në qytet.
“Në mandatin e dytë jam kryetari i parë që kam ndërtuar urë lidhëse mes dy anëve të lumit Vardar. Kjo urë e ka shkarkuar komunikacionin në komunën e Gostivarit dhe veprat e mia i shohin vetë qytetarët”, deklaroi Bejta.
Ai shtoi se gjatë këtij mandati janë hapur edhe disa rrugë të rëndësishme për lidhjen infrastrukturore të komunës.
“Kam hapur tri rrugë të reja. Rruga e Simnicës, e cila lidhet me rrugën e Mavrovës, duke mundësuar që qarkullimi të mos kalojë nëpër Gostivar, por të drejtohet direkt drejt Mavrovës. Po ashtu, është hapur rruga e Çegranit, që lidhet me autostradën dhe me komunën e Vrapçishtit, si dhe një rrugë tjetër në lagjen ‘18 Tetori’”, tha Bejta. /SHENJA/

