(VIDEO) Shkarkimi i kryeprokurorit nesër në seancë plenare
Iniciativa e Qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit Lubço Kocevski pritet që nesër të vendoset në rend dite në seancë plenare. Kryeparlamentari Afrim Gashi gjatë brifingut të sotëm me gazetarët tha se ende nuk i është dorëzuar ftesë Kocevskit se në seancën e nesërme do të bëhet shkarkimi i tij, por se do t’i dorëzohet gjatë ditës.
Qeveria i dorëzoi Kuvendit propozimin për shkarkim më 9 dhjetor, me arsyetimin se Kocevski ka kryer gabime të rënda profesionale gjatë udhëheqjes së Prokurorisë Publike, të cilat, sipas tyre, kanë çuar në dëmtimin e efikasitetit dhe funksionalitetit të institucionit.
Propozimi i Qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit
“Shpalosje e paautorizuar e informacioneve dhe të dhënave për çështjet gjyqësore, duke shkelur kështu detyrimin për mbrojtjen e sekretit të procedurës sipas ligjit. Dëmtim të reputacionit të Prokurorisë Publike dhe reputacionit të tij personal. Mosveprim në përputhje me detyrimet e parashikuara në Kushtetutë, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën. Si pasojë e shkeljeve të kryera gjatë periudhës së kaluar, funksionaliteti i dëmtuar i Prokurorisë Publike është evident dhe integriteti i saj është dëmtuar seriozisht, në përputhje me nenin 27, paragrafi 1 të Ligjit për Prokurorinë Publike, pikërisht prokurori publik është përgjegjës për gjendjet e përgjithshme, për organizimin dhe kryerjen e funksioneve të Prokurorisë Publike”.
Sa i përket pjesës tjetër të punës së Kuvendit, Gashi tha se, deri në fund të dhjetorit pritet të mbahen katër seanca plenare. Më 23 dhjetor para deputetëve fjalim vjetor do të ketë presidentja Gordana Siljanovska Davkova, ndërsa më 25 dhjetor do të mbahet seanca për pyetjet e deputetëve.
Gashi në takimin me gazetarët theksoi gjithashtu se mbetet të miratohen edhe dy ligje për të kompletuar Agjendën e Reformave, dhe ata janë Ligji për Rrugët Publike dhe Ligji për Këshillin Gjyqësor.
Teuta Buçi /SHENJA/

