Maqedonia e Veriut për herë të parë operacion te fëmija me deformim kongjenital të rrallë me pjesëmarrjen e mjekut turk
Në Qendrën Klinine “Nënë Tereza” në Shkup për herë të parë në Maqedoninë e Veriut është realizuar një ndërhyrje kirurgjikale komplekse te një fëmijë me deformim të rrallë kongjenital, në bashkëpunim me një mjek turk, transmeton Anadolu.
Ndërhyrja është kryer në Klinikën Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Mjekim Intensiv dhe Qendër Urgjente (TOARILUC), në bashkëpunim me prof. dr. Ufuk Ajdinli nga Turqia. Pacienti ishte një fëmijë 4-vjeçar me deformim të Sprengel-it (Sprengel deformity).
Ministria e Shëndetësi tha se kjo ndërhyrje përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor maqedonas për trajtimin e gjendjeve ortopedike të rralla dhe komplekse në moshën pediatrike përmes punës ekipore, përcjelljes së njohurive dhe zbatimit të teknikave moderne operative.
“Kjo ndërhyrje është rezultat i një koordinimi multidisiplinar të nivelit të lartë, ekip ortopedik, anestezi, kujdes intensiv dhe mbështetje urgjente, me fokus të qartë në sigurinë dhe cilësinë e procedurës. Falë bashkëpunimit me prof. dr. Ufuk Ajdinli, kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara në trajtimin e deformimeve kongjenitale të rralla te fëmijët. Qëllimi ynë është që këto lloj procedurash të bëhen pjesë standarde e praktikës klinike në vend, përmes edukimit të vazhdueshëm dhe zhvillimit të ekipeve vendore”, tha drejtori i klinikës TOARILUC,. Igor Merxhanoski.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, ndërtimi i besimit në sistemin shëndetësor realizohet përmes rezultateve konkrete, njohurive, punës ekipore dhe krijimit të kushteve që edhe ndërhyrjet më komplekse të kryhen brenda vendit.
“Ky është një shembull se si bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbimi i eksperiencës dhe i njohurive shndërrohen drejtpërdrejt në kujdes më të mirë për pacientët. Ministria do të vazhdojë të mbështesë modernizimin e klinikave, zhvillimin e burimeve njerëzore dhe futjen e metodave bashkëkohore mjekësore, me qëllim që qytetarët të kenë një sistem shëndetësor modern, funksional dhe të qëndrueshëm,”, u shpreh ministri Aliu.
Deformiteti i Sprengel-it është një gjendje e rrallë kongjenitale, në të cilën lopata e shpatullës është e vendosur në mënyrë jonormale më lart dhe është e pazhvilluar mjaftueshëm, si pasojë e migrimit të pasuksesshëm poshtë gjatë zhvillimit embrional. Kjo gjendje zakonisht shkakton një “dalje” të dukshme dhe kufizim të lëvizjes së shpatullës.

