(VIDEO) Venediku i dha dritë jeshile Ligjit për Përfaqësim të Drejtë

(VIDEO) Venediku i dha dritë jeshile Ligjit për Përfaqësim të Drejtë

Koalicioni VLEN përshëndet opinionin pozitiv të Komisionit të Venedikut për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të prezantuar nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, të cilët thonë se kjo i jep dritë jeshile procesit që mbyll një pritje 24-vjeçare. Vlen thekson se për 24 vite kjo çështje është përdorur dhe stërpërdorur për retorikë dhe kalkulime politike, pa u kthyer kurrë në zgjidhje ligjore. Ndërsa shtojnë se VLEN po e mbyll këtë kapitull duke e shndërruar përfaqësimin e drejtë në ligj.

VLEN

Ky ligj është dëshmi se kur ka vullnet politik, parimi i përfaqësimit të drejtë nuk mbetet në fjalë, por shndërrohet në LIGJ. Përfaqësimi i drejtë po ecën përpara, i bazuar në standarde evropiane dhe në parimin e meritokracisë”.

VLEN është i vendosur që kjo çështje të mos mbetet më peng i lojërave politike, por të marrë zgjidhje të plotë ligjore, për një administratë publike profesionale, funksionale dhe inkluzive për të gjitha komunitetet.

Një ditë më parë delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që mori pjesë në seancën e Komisionit të Venedikut ka sqaruar që Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venedikut. Delegacioni përfaqësohej nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, profesoresha Tanja Karakamisheva Jovanovska dhe profesori Jeton Shasivari.

Arben Fetai përmes një statusi në facebook shkroi “Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat po bëhet realitet 24 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit. Vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venedikut. Punë, jo futboll në zyrat e shtetit”.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e “Balancues”-it, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Që atëherë, nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING