(VIDEO) Katica Janeva lirohet me kusht nga “Idrizova”
Ish-prokurorja speciale Katica Janeva, e dënuar me 7 vjet burg dhe e burgosur në “Idrizovë” që nga viti 2021, në fillim të kësaj jave është liruar me kusht dhe është kthyer në shtëpi.
Drejtori i burgut të “Idrizovës”, Zoran Jovanovski, sqaroi se Janeva ka përfituar lirim me kusht dhe se është e obliguar të paraqitet rregullisht në Gjykatën Themelore Penale Shkup deri në përfundimin e plotë të dënimit 7-vjeçar.
Më herët, lirim me kusht kishte marrë edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila vuante dënimin në repartin e grave së bashku me Janevën. Jankullovska ishte dënuar për rastin e blerjes së Mercedesit luksoz për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, me para të policisë. Personat e liruar me kusht janë të detyruar të respektojnë një sërë kushtesh, përfshirë ndalimin e kryerjes së veprave penale dhe paraqitjen e rregullt pranë autoriteteve gjyqësore. Mosrespektimi i këtyre kushteve sjell rikthim në burg. Në korrik të vitit 2021, Gjykata e Apelit Shkup ia konfirmoi Janevës dënimin me 7 vjet burg, në të cilin përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim prej më shumë se një viti. Janeva u dënua së bashku me Bojan Jovanovskin, i cili u shpall fajtor për shantazh në vlerë prej një milion eurosh ndaj biznesmenit Orce Kamçev. Sipas aktakuzës, paratë ishin marrë për të ndikuar që Janeva t’i ofronte Kamçevit marrëveshje dhe të shmangte burgun. Janeva u dënua për marrje ryshfeti, përfshirë një divan dhe disa mijëra euro, të cilat, sipas pretendimeve të mbrojtjes, nuk u dëshmuan qartë para publikut. Pas arrestimit të Janevës, Prokuroria Speciale Publike u mbyll me mbështetjen e të gjitha partive parlamentare. /SHENJA/

