Rasti “Koçani”, mbrojta e Bekteshit dhe Saraqinit thotë se aktakuzat kundër tyre janë ligjërisht dhe logjikisht të pambështetshme

Rasti “Koçani”, mbrojta e Bekteshit dhe Saraqinit thotë se aktakuzat kundër tyre janë ligjërisht dhe logjikisht të pambështetshme

Avokati Elenko Millanov theksoi se mbrojtja e ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, do të tregojë se veprimet që i atribuohen të akuzuarit nuk mund të krijojnë asnjë lidhje kauzale me veprën penale për të cilën ai akuzohet.

“Prokuroria përpiqet të krijojë përshtypjen se veprimet që dyshohet se janë kryer nga 26 shkurt 2018 deri më 11 shkurt 2022 kanë lidhje me ngjarjen tragjike, por një lidhje e tillë kauzale nuk ekziston”, tha Millanov.

Ai theksoi se Bekteshi ka ushtruar detyrën e ministrit të Ekonomisë deri në qershor të vitit 2024 dhe se Mbrojtja do të dëshmojë se licencat që përmend Prokuroria, veçanërisht ato nga viti 2023 dhe fillimi i 2024, nuk janë akt personal i tij.

“Licencat për të cilat pretendohen lidhje kauzale janë lëshuar bazuar në autorizim dhe janë të vulosura me faksimil, jo me firmë personale të ministrit. Nuk ka asnjë licencë të nënshkruar personalisht nga Kreshnik Bekteshi”, theksoi Millanov.

Mbrojtja njoftoi se gjatë procedurës do të paraqesë prova që tregojnë se aktakuza bazohet në fakte të gabuara dhe në keqinterpretim të kompetencave të Ministrisë së Ekonomisë, duke treguar kështu qartë se Bekteshi nuk ka asnjë lidhje ligjore apo faktike me ngjarjen tragjike.

Nga ana tjetër mbrojtja e ish-ministrit të Ekonomisë Valon Saraqini argumentoi se licenca e vitit 2012 ishte e vlefshme vetëm për një vit dhe nuk nënkuptonte leje që diskoteka Pulse të vepronte në një vend tjetër ose të akomodonte një numër të tepërt njerëzish.

Avokati Daniel Georgievski tha se aktakuza kundër Saraqinit është ligjërisht dhe logjikisht e pambështetshme, sepse në vitin 2012 u lëshua licencë për një kabare në rrugën Dimitar Vllahov, e cila është një vendndodhje krejtësisht e ndryshme nga rruga Krizhevska ku ndodhi tragjedia në mars të vitit 2025.

“Si mund të shkelësh një dispozitë të ligjit që nuk ekziston fare në ligj? Për çfarë lloj kauzaliteti po flasim këtu, kur në kohën e tragjedisë objekti nuk kishte fare licencë aktive dhe të vlefshme?” pyeti Georgievski gjykatën.

Avokatja Tatijana Popovski Bulovski shtoi se Ministria e Ekonomisë shqyrton vetëm përmbushjen e kërkesave formale, pra nëse është paraqitur dokumentacioni i nevojshëm, dhe jo kushtet materiale në terren.

“Dokumentacioni ishte i plotë, por nëse ishte i vërtetë, kjo çështje duhet të vendoset nga aplikanti dhe inspektorët nga ISHP-ja që kryen kontrollet, dhe jo nga Ministria, dhe aq më pak nga ministri”, tha ajo.

MARKETING