(VIDEO) Nis vaksinimi i kafshëve të egra

(VIDEO) Nis vaksinimi i kafshëve të egra

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur fushatën e dytë të këtij viti për vaksinimin oral të dhelprave dhe mishngrënësve të egër kundër tërbimit. Fushata do të kryhet me hedhje ajrore të karremave të vaksinimit nga aeroporti sportiv në Shtip deri në fund të dhjetorit, dhe mbështetet financiarisht nga Agjencia Ekzekutive Evropiane e Shëndetit. Siç njoftuan ata vlera e mbështetjes së Agjencisë për një periudhë trevjeçare për vaksinimin oral të pranverës dhe vjeshtës është afërsisht 2.5 milionë euro.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos i prekin karremat e vaksinimit, të cilat kanë ngjyrë kafe dhe ngjajnë me kube çokollate. Ato janë bërë nga një përzierje mielli peshku dhe kanë një erë peshku që i tërheq dhelprat. Karremat përmbajnë një kapsulë plastike me një vaksinë të lëngshme që përmban një virus të dobësuar të tërbimit dhe një shënues biologjik”.

Nëse bien në kontakt me karremat, nga agjencia theksojnë se  është e detyrueshme të lahen duart me shumë ujë dhe sapun, dhe në rast të vetëlëndimit ose prerjes me një pjesë të kapsulës së vaksinës, është e detyrueshme të kërkohet ndihmë nga një mjek.

Rekomandohet që qentë të shëtisin me zinxhir për të shmangur kontaktin e tyre me karremat. Nëse qentë ose macet bien në kontakt me karremin, kjo nuk është e dëmshme për shëndetin e tyre. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet qenve të gjuetisë dhe gjuetarëve në natyrë, veçanërisht pasi kafshët e egra gjuhen në natyrë gjatë kësaj periudhe. Fushata është planifikuar të përfundojë në fund të dhjetorit, varësisht nga kushtet e motit në terren.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING