Berat Jakupi pensionohet nga karateja
Berat Jakupi i ka dhënë lamtumirën karrierës së tij aktive në sportin e karatesë. Pas shumë viteve përkushtim, sukseseve të shumta dhe një koleksioni të pasur me medalje e tituj shtetërorë, ballkanikë, europianë e botërorë, një nga karateistët dhe sportistët më të mirë që ka pasur vendi në vitet e fundit ka vendosur të pensionohet nga ky sport.
Në një ceremoni të organizuar në Gostivar, Berat Jakupi ndau me të pranishmit emocionet e viteve të karrierës, duke shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe kanë kontribuar në rrugëtimin e tij sportiv.
Të pranishëm në organizim ishin figura të ndryshme të sportit, politikës, kulturës dhe medias, ndërsa Jakupi kishte përgatitur mirënjohje dhe plaketa për t’i nderuar disa prej tyre për mbështetjen shumëvjeçare.
Berat Jakupi do të mbetet një ikonë e sportit të karatesë në vendin tonë. Ai me këtë sport filloi të merret që në moshë të re dhe ndër vite përfaqësoi vendin në shumë gara europiane e botërore, duke fituar medalje të ndryshme.
Berat Jakupi ka qenë kampion Europian, Mesdhetar, MbarëKombëtar si dhe medalist Botëror. Në vitin 2014 ai u shpall numri një në botë në kategorinë kumite deri në 84kg nga Federata Botërore e Karetesë, duke marrë vlerësimin më të lartë të mundshëm për një karateist. Berat Jakupi gjithashtu ka fituar tre Oskarë Sportiv dhe është shpallur për një dekadë rresht si “Karateisti më i suksesshëm në Maqedoni”.

