(VIDEO) Çuçul thotë se do të kërkojë përgjegjësi nga të gjitha institucionet
Kryetari i ri i Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit, Adem Çuçul, sot ka dhënë betimin solemn para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Ai zotohet se së bashku me ekipin e tij do të kërkojnë integritet, përgjegjësi dhe transparencë nga të gjitha institucionet.
ADEM ÇUÇUL, KRYETAR I KOMISIONIT SHTETËROR PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT
“Njëkohësisht është përgjegjësi e madhe, duke i pasur parasysh sfidat me të cilat përballet edhe Komisioni edhe shteti në fushën e luftës kundër korrupsionit. Në atë drejtim si kryetar i KSHPK-së do të angazhohem për punë transparente të institucionit, por edhe si ekip do të kërkojmë përgjegjësi nga të gjitha institucionet. Ne jemi institucion i cili e promovon integritetin dhe do të kërkojmë integriteti të promovohet dhe avancohet në të gjitha institucionet”.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve se çka do të jetë në fokusin e KSHPK-së, ai deklaroi se ka një numër të madh të sfidave.
ADEM ÇUÇUL, KRYETAR I KOMISIONIT SHTETËROR PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT
“Si kryetar do të angazhohem t’i përmirësojmë ato vlerësimet e KE-së. Do të duhet mund, shumë punë. Në intervistën time në Kuvend thashë se do të angazhohem për digjitalizim, për vegla parandaluese. Jemi në fazë të përgatitjes së Strategjisë së re nacionale, e cila po përgatitet në proces inkluziv, me pjesëmarrje të të gjithë faktorëve relevantë në shtet. Si vegël parandaluese shpresoj se do të jetë shumë më koncize dhe më e zbatueshme për dallim nga e kaluara”.
Çuçul unanimisht u zgjodh kryetar i KSHPK-së në mbledhjen e së mërkurës në Kuvend, ku mori 82 vota.
Samir Mustafa /SHENJA/

