FORMULA 1 / Tre pilotë për titullin që vendoset në garën e fundit, ja si janë të gjitha kombinimet
Sezoni i Formula 1 po shkon drejt finales së madhe në Abu Dabi, me tre pilotë ende në garë për titullin botëror. Çfarë duhet të ndodhë që Lando Norris, Maks Vershtapen ose Oskar Piastri të shpallen kampionë?
Çmimi i Madh i Katarit ka rishkruar renditjen e pilotëve, duke përgatitur një fund-sezon dramatik. Norris kryeson me 408 pikë, por presioni është maksimal. Maks Vershtapen ka kaluar Oskar Piastrin dhe tani ndodhet vetëm 12 pikë larg kreut. Piastri është i treti, 16 pikë pas Norrisit. Bilanci i dy garave të fundit (55 pikë për Vershtapenin kundrejt 18 të Norrisit) e ka rihapur betejën për titull, por tandemi Norris-MekLaren vazhdon ta ketë fatin në duart e veta. Më poshtë ju pasqyrojmë skenarët dhe kombimet e mundshme që secilit pilot i duhen për të fituar titullin.
NORRIS – Lando mbetet favoriti kryesor dhe shpallet Kampion i Botës nëse: Arrin të paktën në vendin e 3-të (pavarësisht rezultateve të të tjerëve). Të renditet i 4-ti ose i 5-ti, nëse Vershtapen nuk fiton. Të renditet i 6-ti, nëse as Vershtapen dhe as Piastri nuk fitojnë garën. Të renditet i 7-ti ose i 8-ti, me kusht që Vershtapen të mos jetë më mirë se vendi i 3-të dhe Piastri të mos jetë më mirë se i 2-ti. Përfundon i 9-ti ose i 10-ti, me kusht që Vershtapen të mos shkojë më shumë se i 4-ti dhe Piastri të mos jetë më lartë se vendi i tretë. Britaniku mund ta fitojë titullin edhe nëse del jashtë zonës së pikëve, për sa kohë që Vershtapen nuk shkon më lart se vendi i 5-të dhe Piastri nuk shkon më lart se i 3-ti.
VERSHTAPEN – Maks shpallet kampion i Botës nëse: Fiton garën dhe Norris nuk shkon më shumë se vendi i 4-t. Të renditet i 2-ti, Piastri të mos fitojë dhe Norris nuk duhet të shkojë më mirë se vendi i 7-të. Të dalë i 3-ti, Piastri të mos fitojë dhe Norris nuk shkon më lart se vendi i 9-të. Të klasifikohet i 4- ti, Norris të mos marrë pikë dhe Piastri nuk duhet të shkojë më shumë se i 3-ti.

