Reali do t’i largojë tre futbollistë në janar, ata nuk janë në planet e Alonsos

Reali do t’i largojë tre futbollistë në janar, ata nuk janë në planet e Alonsos

Afati kalimtar i janarit pritet të jetë shumë aktiv te Real Madridi, sidomos me futbollistë që pritet të largohen nga klubi.

Sipas mediave spanjolle, drejtuesit madrilenë dhe trajneri Xabi Alonso tashmë kanë identifikuar tre lojtarë që nuk shihen si pjesë e planeve të ardhshme të ekipit.

Emri më i madh në listë është braziliani Rodrygo, i cili mund të vendoset në listën e transferimeve. Sulmuesi anësor ka një rol episodik këtë sezon dhe është i pakënaqur me minutat e pakta nën drejtimin e Alonsos.

“Transfermarkt” e vlerëson kartonin e tij në 80 milionë euro, ndërsa e ardhmja e tij ka qenë e paqartë që nga vera kur humbi vendin e titullarit në fund të sezonit të kaluar.

Reali ishte i gatshëm të dëgjonte oferta edhe atëherë, por lojtari nuk kërkoi largim, ndonëse agjentët e tij po eksploronin opsione jashtë klubit.

Raportimet e fundit thonë se Real Madridi është i hapur të ndahet me Rodrygon për një kompensim të përshtatshëm, ndërsa Alonso pritet të kërkojë një zëvendësues për të. Forma e tij këtë sezon ka qenë nën pritshmëri: pa gol dhe vetëm dy asiste në 434 minuta në 15 paraqitje.

Përveç brazilianit, edhe Dani Ceballos dhe Fran Garcia konsiderohen të largueshëm në janar. Të dy kanë marrë minuta të limituara dhe nuk shihen si pjesë kyçe e projektit të Alonsos.

Garcia ka luajtur vetëm 356 minuta, ndërsa Ceballos ka grumbulluar 493 minuta në këtë sezon, duke e bërë largimin e tyre një skenar shumë realist për afatin e dimrit.

 

MARKETING