Rrahmani premton edhe më shumë pasi zuri vend në ekipin më të mirë të Serie A

Rrahmani premton edhe më shumë pasi zuri vend në ekipin më të mirë të Serie A

Amir Rrahmani ka zënë vend në ekipin më të mirë të Serie A të edicionit të kaluar, 2024/2025. Rrahmani udhëhoqi mbrojtjen e Napolit që e fitoi titullin e kampionit të Italisë.

Ceremonia e shpalljes së më të mirëve të edicionit të kaluar, e njohur si “Gran Gala del Calcio”, është mbajtur të hënën mbrëma në Milano. Këtë ngjarje e organizon Shoqata Italiane e Futbollistëve (AIC).

Rrahmani dhe Alessandro Bastoni i Interit janë shpallur mbrojtësit më të mirë të qendrës. Denzel Dumfries i Interit u shpall mbrojtësi i djathtë më i mirë, ndërsa Federico Dimarco (Inter) mbrojtësi i majtë më i mirë. Mile Svilar i Romës u përzgjodh portieri më i mirë, ndërsa mesfusha më e mirë e edicionit të kaluar të Serie A përbëhet nga Nicolo Barella (Inter), Scott McTominay (Napoli) e Tijjani Reijnders (Milan). Holandezi Reijnders tani është te Manchester City.
Lautaro Martinez i Interit, Moise Kean i Fiorentinas dhe Mateo Retegui i Atalantas, tani tek Al-Qadsiah, janë përzgjedhur sulmuesit më të mirë të kampionatit të kaluar.

Ndërkohë mesfushori skocez i Napolit, Scott McTominay u shpall lojtari më i mirë i edicionit 2024/2025 në Serie A.

Rrahmani ka bërë një koment të shkurtër në skenë pasi pranoi çmimin.
“Punoj çdo vit që të përmirësohem”, ka thënë kapiteni i Kosovës.

Përzgjedhja e ekipit më të mirë është bërë me vota të lojtarëve. Interi prezantohet me pesë lojtarë, Napoli me vetëm dy, ndërsa Roma, Milani, Fiorentina e Atalanta me nga një.

“Ai ishte njëri prej lojtarëve konstantë mes dy titujve. Trajnerë të ndryshëm, nga Spalletti te Conte, dhe me shumë lojtarë të larguar pas titullit të vitit 2023 si Osimhen, Kvara dhe Kim, të tjerë lojtarë të rëndësishëm erdhën te Napoli. Por Rrahmani mbeti. Fillimisht në dyshe me Kim e më pas me Buongiorno, duke luajtur në të gjitha 38 ndeshjet, ai është lider i vërtetë. Rrahmani dhe Bastoni kanë fituar në konkurrencë me Acerbin, Buongiornon dhe Ndickan”, ka shkruar “Sky Sport Italia”, që edhe e transmetoi ceremoninë.

MARKETING